Shqip

Matthew

14

1Në atë kohë Herodi, tetrarku, mori vesh famën e Jezusit,2dhe u tha shërbëtorëve të vet: ''Ky është Gjon Pagëzori; ai u ngjall së vdekuri dhe prandaj fuqitë e mbinatyrshme veprojnë në të''.3Herodi, në fakt, e kishte arrestuar Gjonin, i kishte hedhur prangat dhe e kishte futur në burg, për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet.4Sepse Gjoni i thoshte: ''Nuk është e lejueshme të bashkëjetosh me të!''.5Dhe, ndonëse donte ta vriste, Herodi kishte frikë nga populli që e konsideronte Gjonin profet.6Kur po festohej ditëlindja e Herodit, e bija e Herodiadës vallëzoi përpara tij dhe i pëlqeu Herodit7aq shumë, sa ai i premtoi asaj me betim se do t'i jepte çfarëdo që t'i kërkonte.8Dhe ajo, e shtyrë nga e ëma, tha: ''Ma jep këtu, mbi një pjatë, kokën e Gjon Pagëzorit''.9Mbretit i erdhi keq, po për shkak të betimit dhe të ftuarve që ishin me të në tryezë, urdhëroi që t'ia japin.10Kështu dërgoi dikë për t'i prerë kokën Gjon Pagëzorit në burg;11dhe kokën e tij e prunë mbi një pjatë dhe ia dhanë vajzës; ajo ia çoi s'ëmës.12Pastaj erdhën dishepujt e tij, e morën trupin dhe e varrosën, mandej ata shkuan dhe ia treguan ngjarjen Jezusit.13Kur Jezusi i dëgjoi këto, u nis që andej me një barkë dhe u tërhoq në vetmi, në një vend të shkretë. Dhe turmat, kur e morën vesh, e ndiqnin në këmbë nga qytetet.14Dhe Jezusi, kur doli nga barka, pa një turmë të madhe, pati dhembshuri për të dhe shëroi ata që ishin të sëmurë.15Pastaj në mbrëmje dishepujt e tij iu afruan dhe i thanë: ''Ky vend është i shkretë dhe u bë vonë; lejo turmat të shkojnë nëpër fshatra për të blerë ushqime''.16Por Jezusi u tha atyre: ''Nuk është nevoja të shkojnë; u jepni juve të hanë''.17Dhe ata i thanë: ''Ne këtu nuk kemi tjetër përveç pesë bukë dhe dy peshq''.18Dhe ai u tha: ''M'i sillni këtu''.19Atëherë i urdhëroi që turmat të ulen mbi bar; pastaj i mori pesë bukët dhe dy peshqit dhe, pasi i çoi sytë drejt qiellit, i bekoi; i ndau bukët dhe ua dha dishepujve, dhe dishepujt turmave.20Dhe të gjithë hëngrën dhe u ngopën; pastaj dishepujt mblodhën tepricat në dymbëdhjetë kosha plot.21Dhe ata që hëngrën ishin rreth pesë mijë burra, pa i numëruar gratë dhe fëmijët.22Fill pas kësaj Jezusi i detyroi dishepujt e vet të hyjnë në barkë dhe t'i prijnë në bregun tjetër, deri sa ai t'i lëshojë turmat.23Mbasi i nisi ato, u ngjit vetëm mbi mal për t'u lutur. Dhe kur u ngrys ai gjëndej aty, i vetëm fare.24Ndërkaq barka ndodhej në mes të detit; dhe përplasej nga valët sepse era i ishte e kundërt.25Në rojën e katërt të natës, Jezusi shkoi drejt tyre, duke ecur mbi det.26Dishepujt duke parë atë që po ecte mbi det, u trembën dhe thanë: ''Éshtë një fantazmë!''. Dhe filluan të bërtasin nga frika;27por menjëherë Jezusi u foli atyre duke thënë: ''Qetësohuni; jam unë, mos kini frikë!''.28Dhe Pjetri, duke u përgjigjur tha: ''Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujëra''.29Ai tha: ''Eja!''. Dhe Pjetri zbriti nga barka dhe eci mbi ujëra, për të shkuar te Jezusi.30Por, duke parë erën e fortë, kishte frikë, dhe duke filluar të fundosej, bërtiti duke thënë: ''O Zot, shpëtomë!''.31Dhe Jezusi ia zgjati menjëherë dorën, e zuri dhe i tha: ''O njeri besimpak, pse dyshove?''.32Pastaj, kur hynë në barkë, era pushoi.33Atëherë ata që ishin në barkë erdhën dhe e adhuruan, duke thënë: ''Me të vërtetë ti je Biri i Perëndisë!''.34Pastaj, mbasi dolën në bregun tjetër, erdhën në krahinën e Gjenezaretit.35Dhe njerëzit e atij vendi, sapo e njohën, e përhapën fjalën në gjithë krahinën përreth; dhe i sollën të gjithë të sëmurët;36dhe iu lutën që të mund t'i preknin të paktën cepin e rrobes së tij; dhe të gjithë ata që e prekën u shëruan plotësisht.